Wednesday, March 30, 2016

Vajza dhe biçikleta

10 mars 2016

Titulli: “Vajza dhe biçikleta”
Konkursi: Biçikletërsia
Shkroi: Elisa Konomi

Çdo ditë merrte biçikletën për të vizituar qytetin dhe të bënte shpërndarjen e luleve që kultivonte në kopshtet e saj. Mblidhte manjolat, zambakët e bardhë dhe trëndafilat shumëngjyrësh, aromat e të cilëve përziheshin me lagështirën e ajrit dhe gomave të biçikletës. Zgjaste dorën e zbehtë dhe elegante për të sistemuar buqetat, një veprim që e shoqëronte në rutinën e saj, por i plotësonte gjithë qenien, sepse natyra dhe dashuria për të e bënte të lumtur. Vishej me një fustan të bardhë me pika blu, por të vjetër dhe tek-tuk me njolla të gjelbra në bojë kafe, të shkaktuara nga lulet dhe biçikleta. Fqinjët e quanin “zonjusha e luleve”, sepse kishte bukurinë, freskinë dhe hijeshinë e tyre, por mbi të gjitha delikatesën dhe aromën e një gruaje.


E veçantë tek vajza ishte edhe shoqëruesja e saj e përhershme, që quhej: Biçikleta. E vjetër sa fustani vajzës, por besnike dhe e përpiktë në kryerjen e detyrave në çdo stinë, lëvizte në paralelin e përditshmërisë së një qyteti që ditën gjallëronte nga jeta dhe ngjyrat, ndërsa natën nga shirat dhe erërat. Jo rrallë i kishte ndodhur të përplasej me peripecitë e një qielli me shi që nxirrte në pah të brendshmet e trupit të saj, si ndryshku dhe telat e këputur, si dhe gërvishtjet e dhimbjet në organizëm, të shkaktuara ndër vite, por ja që mbijetesa për të ishte një domosdoshmëri. Barra për të ishte e madhe dhe lulet shpesh e ngacmonin dhe e krahasonin freskinë e tyre me moshën, vjetërsinë dhe funksionin e saj thjesht si transportuese. Biçikleta mërzitej dhe jo rrallëherë i bënte shoqëri qiellit me lotët dhe zymtësinë, por nuk gjente ngushëllim as në këtë mënyrë. I ndodhte të pasqyrohej në xhamat e vitrinave të dyqaneve dhe të shihte trupin e saj të hollë, elegant, në ngjyrë të purpurt të zbehtë, dhe ligështohej kur kujtonte rininë dhe bukurinë e dikurshme.



Si ta zgjidhte këtë mangësi? A mund të kthehej pas me rrotat e saj në të kaluarën? Ndoshta e kishte këtë privilegj dhe nuk e kishte menduar më përpara, por po t’i kërkonte ndihmë qiellit mund t’ia dilte mbanë. Vendosi të shkruante një letër, ta postonte mbi re dhe të priste se ç’përgjigje do të kthente qielli. Kështu veproi. Kaluan ditë, muaj dhe përgjigja nuk po vinte. Mendonte se ç’mund të kishte ndodhur, sepse nuk e besonte kurrsesi se qielli e harroi dhe ajo kishte të drejtë. Kur u zgjua një mëngjes, u bë gati për të transportuar lulet në qytet, ndaloi përpara një vitrine dhe papritur nuk po u besonte syve. Ishte po ajo bukuroshe e shumë viteve më parë, me freskinë dhe ngjyrën e theksuar që e bënte të veçantë nga çdo moshatare e saj, aq sa edhe lulet që mbante në kurriz krekoseshin në qytet me të. Papritur u dëgjua një zë i ëmbël që i pëshpëriti në vesh dhe biçikleta ktheu kokën. Ishte vajza, mikja e saj, që po i tregonte për ndryshimin që i kishte bërë për ta kthyer në pranverën e jetës së saj. Nuk e kishte harruar kurrsesi besnikërinë dhe dashurinë e vjetër për biçikletën dhe ja ku u shfaq e lulëzuar dhe e pasqyruar si kurrë më parë!

No comments:

Post a Comment