Wednesday, May 30, 2012

Ezel apo Big Brother?

Duket se agresiviteti i konkurrencës midis mediave ka vendosur në dilemë publikun shqiptar përpara ekranit të vogël.Fitimi i një audience relativisht të gjerë nëpërmjet një programacioni fleksibël dhe dinamik ka shfaqur një pasiguri,dyzim që shoqëron shikuesin në orët e mbrëmjes.Telenovela Ezel dhe reality show Big Brother kanë  krijuar së fundmi një bipolaritet në botën televizive që mbart në thelb dy programe të natyrave krejtësisht të ndryshme, por që çuditërisht këto të dyja  balancojnë  pjatat e peshores mediatike.

Po çfarë është Ezel fundja?Mendime të ndryshme më vërtiten në kokë për ti dhënë një përgjigje kësaj pyetje që është tema e bisedimeve midis miqve,kolegëve dhe familjes,duke plotësuar në këtë mënyrë sadopak atë boshllëk që shoqëron kotësinë e jetës së përditshme.Një histori hakmarrje,suspansë e stërzgjatur për veprime që finalizohen me tentativa vrasjesh,zbulime të fshehtash e misteresh,retrospektivash në jetën e personazheve,nuk e di pse më ngacmuan idenë për të kuptuar pse pëlqehen të gjitha këto nga shqiptarët.Sa identifikohemi ne me personazhet e këtij seriali dhe a duhet të përfshihemi kaq shpirtërisht në historitë e tyre dhe të konsumojmë e sakrifikojmë diçka nga vetja për tu bërë një numër më tepër i audiencës televizive,që spekulojnë për shikueshmërinë e programeve?
Nëse konsiderojmë karakterin tipik shqiptar,dinamik,shpirt luftarak,skllav i zemrës dhe jo aq i mendjes,pse jo dhe gjakmarrës po ti referohemi të shkuarës sonë ,të gjitha këto krijojnë një paralelizëm të mirepeshuar me personazhet e këtij seriali që po korr e kosit kohën e shqiptarit dhe i ngujon para televizionit.Duket sikur asgjë ne thelb nuk paska ndryshuar dhe pasqyra vijon të shfaqë të njëjtin imazh që historia ka treguar,por me një mbivendosje që ofron e tashmja e sofistikuar.

Po Big Brother?
Kjo është në dukje një lojë që fokusohet të shndërrojë në protagonist një njeri të zakonshëm dhe ta përfshijë në një plan të ideuar në formën e një rrjete merimange ku vetëm një forcë e jashtme mund ta shpëtojë duke humbur tërthorazi pavarësinë dhe të drejtën për të vendosur fatin e tij.Përsëri dikush sakrifikohet për të fituar popullaritetin apo vëmendjen masive që ofron fama momentale dhe më pas flaket në harresë si individ i padëshiruar.

Ajo çka na ofrohet pra, nuk na qenka veçse dy alternativa  që thellojnë inutilitetin e përditshëm të individit në raport me kohën, zgjedhjet e tij, se ne ç`drejtim duhet të rrjedhin burimet dhe kapacitetet që disponon.

Shkroi:

Elisa Konomi

No comments:

Post a Comment