Titulli: “Vajza dhe biçikleta”
Konkursi: Biçikletërsia
Shkroi: Elisa Konomi
Çdo ditë merrte
biçikletën për të vizituar qytetin dhe të bënte shpërndarjen e luleve që kultivonte
në kopshtet e saj. Mblidhte manjolat, zambakët e bardhë dhe trëndafilat
shumëngjyrësh, aromat e të cilëve përziheshin me lagështirën e ajrit dhe gomave
të biçikletës. Zgjaste dorën e zbehtë dhe elegante për të sistemuar buqetat,
një veprim që e shoqëronte në rutinën e saj, por i plotësonte gjithë qenien,
sepse natyra dhe dashuria për të e bënte të lumtur. Vishej me një fustan të
bardhë me pika blu, por të vjetër dhe tek-tuk me njolla të gjelbra në bojë
kafe, të shkaktuara nga lulet dhe biçikleta. Fqinjët e quanin “zonjusha e luleve”,
sepse kishte bukurinë, freskinë dhe hijeshinë e tyre, por mbi të gjitha
delikatesën dhe aromën e një gruaje.
E veçantë tek vajza ishte
edhe shoqëruesja e saj e përhershme, që quhej: Biçikleta. E vjetër sa fustani
vajzës, por besnike dhe e përpiktë në kryerjen e detyrave në çdo stinë, lëvizte
në paralelin e përditshmërisë së një qyteti që ditën gjallëronte nga jeta dhe
ngjyrat, ndërsa natën nga shirat dhe erërat. Jo rrallë i kishte ndodhur të
përplasej me peripecitë e një qielli me shi që nxirrte në pah të brendshmet e
trupit të saj, si ndryshku dhe telat e këputur, si dhe gërvishtjet e dhimbjet
në organizëm, të shkaktuara ndër vite, por ja që mbijetesa për të ishte një domosdoshmëri.
Barra për të ishte e madhe dhe lulet shpesh e ngacmonin dhe e krahasonin
freskinë e tyre me moshën, vjetërsinë dhe funksionin e saj thjesht si
transportuese. Biçikleta mërzitej dhe jo rrallëherë i bënte shoqëri qiellit me
lotët dhe zymtësinë, por nuk gjente ngushëllim as në këtë mënyrë. I ndodhte të
pasqyrohej në xhamat e vitrinave të dyqaneve dhe të shihte trupin e saj të
hollë, elegant, në ngjyrë të purpurt të zbehtë, dhe ligështohej kur kujtonte
rininë dhe bukurinë e dikurshme.
Si ta zgjidhte këtë
mangësi? A mund të kthehej pas me rrotat e saj në të kaluarën? Ndoshta e kishte
këtë privilegj dhe nuk e kishte menduar më përpara, por po t’i kërkonte ndihmë
qiellit mund t’ia dilte mbanë. Vendosi të shkruante një letër, ta postonte mbi
re dhe të priste se ç’përgjigje do të kthente qielli. Kështu veproi. Kaluan
ditë, muaj dhe përgjigja nuk po vinte. Mendonte se ç’mund të kishte ndodhur,
sepse nuk e besonte kurrsesi se qielli e harroi dhe ajo kishte të drejtë. Kur u
zgjua një mëngjes, u bë gati për të transportuar lulet në qytet, ndaloi përpara
një vitrine dhe papritur nuk po u besonte syve. Ishte po ajo bukuroshe e shumë
viteve më parë, me freskinë dhe ngjyrën e theksuar që e bënte të veçantë nga çdo
moshatare e saj, aq sa edhe lulet që mbante në kurriz krekoseshin në qytet me
të. Papritur u dëgjua një zë i ëmbël që i pëshpëriti në vesh dhe biçikleta
ktheu kokën. Ishte vajza, mikja e saj, që po i tregonte për ndryshimin që i kishte
bërë për ta kthyer në pranverën e jetës së saj. Nuk e kishte harruar kurrsesi besnikërinë
dhe dashurinë e vjetër për biçikletën dhe ja ku u shfaq e lulëzuar dhe e
pasqyruar si kurrë më parë!